Genesis 46AL1

1Izraeli bashkë me gjithçka kishte u ngrit e shkoi në Bershebë e aty i kushtoi fli Perëndisë së Isakut, atit të tij.

2Atëherë Perëndia iu drejtua Izraelit natën në një vegim e i tha: «Jakob, Jakob!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!».

3Perëndia i tha: «Unë jam Perëndia, Perëndia i atit tënd. Mos ki frikë të shkosh në Egjipt, sepse atje do të të bëj një komb të madh.

4Unë vetë do të shkoj bashkë me ty në Egjipt e po unë do të të kthej që andej. Jozefi do të t'i mbyllë sytë».

5Atëherë Jakobi u ngrit nga Bersheba dhe bijtë e Izraelit e vunë Jakobin, atin e tyre, bashkë me fëmijët e gratë e tyre, në qerret që faraoni kishte dërguar për të.

6I morën me vete bagëtitë e pasurinë që kishin mbledhur në tokën e Kanaanit dhe Jakobi me gjithë familjen e tij mbërritën në Egjipt.

7Ai e solli në Egjipt gjithë familjen e tij, bijtë, nipërit, bijat e mbesat.

8Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt: Jakobi e bijtë e tij. Rubeni, i parëlinduri i Jakobit.

9Bijtë e Rubenit, Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu.

10Bijtë e Simeonit, Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje.

11Bijtë e Levit, Gershoni, Kohati e Merari.

12Bijtë e Judës, Eri, Onani, Shelahu, Pereci e Zerahu. Eri e Onani vdiqën në tokën e Kanaanit. Bijtë e Perecit ishin Hecroni e Hamuli.

13Bijtë e Isaharit, Tolai, Puahu, Jobi e Shimroni.

14Bijtë e Zabulonit, Seredi, Eloni e Jahleli.

15Këta janë bijtë që Lea ia lindi Jakobit në Padan Aram. Ajo lindi edhe një vajzë, Dinën. Bij e bija, ishin gjithsej tridhjetë e tre veta.

16Bijtë e Gadit: Cifioni, Hagiu, Shuniu, Ecboni, Eri, Arodi e Arieli.

17Bijtë e Asherit, Imnahu, Ishvahu, Ishviu, Berjahu e Seraja, motra e tyre. Bijtë e Berjahut, Heberi e Malkieli.

18Këta janë bijtë e Zilfës që Labani ia dha për shërbëtore Leas, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatëmbëdhjetë veta.

19Bijtë e Rakelës, gruas së Jakobit, Jozefi e Benjamini.

20Jozefit i lindën, në tokën e Egjiptit, Manaseu dhe Efraimi. Ia lindi Asenata, bija e Potiferait, priftit të Onit.

21Bijtë e Benjaminit, Belai, Bekeri, Ashbeli, Gerai, Namani, Ehiu, Roshi, Mupimi, Hupimi e Aredi.

22Këta janë bijtë e Rakelës që ia lindi Jakobit. Gjithsej dyzet veta.

23Bijtë e Danit, Hushimi.

24Bijtë e Neftaliut, Jahceli, Guniu, Jeceri e Shilemi.

25Këta janë bijtë e Bilhës që Labani ia dha për shërbëtore Rakelës, të bijës. Ajo i lindi Jakobit gjithsej shtatë veta.

26Të gjithë ata që erdhën në Egjipt me Jakobin, pasardhësit e tij, pa përfshirë gratë e të bijve, ishin gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë.

27Ndërsa bijtë e Jozefit që i lindën në Egjipt ishin vetëm dy. Kështu, shtatëdhjetë anëtarë të familjes së Jakobit erdhën në Egjipt.

28Jakobi e kishte dërguar Judën te Jozefi që t'i dilte para në Goshen. Kur arritën në Goshen,

29Jozefi bëri gati karrocën e shkoi atje për të takuar atin e tij, Izraelin. Sapo i doli përpara, Jozefi e përqafoi dhe qau për një kohë të gjatë mbi supin e të atit.

30Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Tani le të vdes, sepse të pashë e ti qenke ende gjallë!».

31Jozefi u tha vëllezërve dhe atyre të shtëpisë së të atit: «Do të shkoj ta njoftoj faraonin se më kanë ardhur vëllezërit dhe familja e tim eti që ishin në Kanaan.

32Pastaj do t'i them që jeni barinj, se gjithmonë jeni marrë me blegtori e që keni sjellë me vete dhentë e qetë tuaja e gjithçka keni.

33Kështu, kur faraoni t'ju thërrasë e t'ju pyesë me çfarë merreni,

34thuajini: “Shërbëtorët e tu kanë qenë barinj që në moshë të re e deri tani, ashtu siç kanë qenë dhe etërit tanë”. Thoni kështu që të banoni në tokën e Goshenit, meqë egjiptianët kanë neveri për të gjithë barinjtë».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 46.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.