Genesis 4
1 Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e Zotit fitova një njeri!».
2 Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën.
3 Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi Zotit nga frytet e tokës.
4 Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. Zoti e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij,
5 ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra.
6 Zoti i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra?
7 Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh».
8 Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau.
9 Zoti i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!».
10 Zoti i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd.
11 Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate.
12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë».
13 Kaini i tha Zotit: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj.
14 Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë».
15 Zoti i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe Zoti i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë.
16 Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.
17 Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit.
18 Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku.
19 Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila.
20 Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë.
21 Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit.
22 Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama.
23 Lameku u tha grave të veta: «Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim. O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time: për një plagë vrava një burrë, për një të goditur, një djalosh.
24 Shtatëfish iu mor haku Kainit e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë».
25 Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini».
26 Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh. Asokohe filloi të thirret emri i Zotit.