Genesis 28AL1

1Atëherë Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit.

2Ngrihu e shko në Padan Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës tënde. Atje merr grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës tënde.

3Perëndia i gjithëpushtetshëm të bekoftë, të shumoftë e të shtoftë që të bëhesh shumicë popujsh.

4Ai të dhëntë, ty e pasardhësve të tu, bekimin e Abrahamit që ta trashëgosh tokën që Perëndia ia dha Abrahamit, ku ti banon si i huaj».

5Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel Arameasit, të vëllait të Rebekës, të ëmës së Jakobit dhe Esaut.

6Esau e pa se Isaku e bekoi Jakobin dhe e dërgoi në Padan Aram për të marrë grua prej andej, se e bekoi dhe e urdhëroi të mos merrte grua nga bijat e Kanaanit.

7Jakobi e dëgjoi të atin dhe të ëmën e shkoi në Padan Aram.

8Kur Esau pa se Isaku, i ati, i shihte me sy të keq bijat e Kanaanit,

9shkoi tek Ishmaeli e mori për grua, përveç atyre që kishte, Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit.

10Jakobi doli nga Bersheba e shkoi në Haran.

11Arriti në njëfarë vendi e u ndal për të kaluar natën, sepse dielli kishte perënduar. Mori një nga gurët aty pranë, e vuri nën krye e fjeti aty.

12Dhe pa një ëndërr. Në ëndërr pa një shkallare që qëndronte në tokë, maja e së cilës prekte qiellin. Engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi shkallë.

13Dhe ja, Zoti, që qëndronte mbi të, tha: «Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isakut. Tokën ku je shtrirë do të ta jap ty e pasardhësve të tu.

14Ata do të jenë si pluhuri i tokës e ti do të shtrihesh drejt lindjes e perëndimit, drejt veriut e jugut. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty e në pasardhësit e tu.

15Ja, unë jam me ty. Do të të ruaj kudo që të shkosh e do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të heq dorë prej teje pa bërë çfarë të thashë».

16Atëherë Jakobi u zgjua e tha: «Me të vërtetë Zoti qenka në këtë vend e unë nuk e dija».

17I frikësuar tha: «Sa i frikshëm ky vend! Nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe porta e qiellit».

18Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye, e vendosi si përmendore dhe hodhi vaj mbi të.

19Ai e quajti atë vend Betel. Më parë qyteti quhej Luz.

20Jakobi u betua e tha: «Nëse Perëndia është me mua e më ruan në udhëtimin që kam nisur, nëse më jep bukë për të ngrënë e rroba për të veshur,

21nëse më kthen shëndoshë e mirë në shtëpinë e tim eti, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im,

22ky gur që kam vendosur si përmendore do të jetë shtëpia e Perëndisë dhe ty do të të jap të dhjetën e çdo gjëje që do të më japësh».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 28.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.