Genesis 26AL1

1Tokën e pllakosi një tjetër zi buke si ajo që kishte rënë në kohën e Abrahamit dhe Isaku shkoi në Gerar te Abimeleku, mbreti i filistinëve.

2Atëherë Zoti iu shfaq e i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj.

3Bano si i huaj në këtë vend dhe unë do të jem me ty e do të të bekoj. Ty e pasardhësve të tu do t'ua jap tërë këto vende e kështu do të përmbush betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd.

4Do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe atyre do t'ua jap tërë këto vende. Të gjitha kombet e tokës do të bekohen përmes pasardhësve të tu,

5sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim e i mbajti urdhrin, urdhërimet, rregullat dhe ligjet e mia».

6Atëherë Isaku banoi në Gerar.

7Kur vendasit e pyetën për të shoqen, ai u tha: «Është motra ime», sepse kishte frikë se mos vendasit e vrisnin po të thoshte: «Është gruaja ime», ngaqë Rebeka ishte e bukur.

8Isaku qëndroi atje për një kohë të gjatë. Një herë, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po sodiste nga dritarja dhe pa Isakun duke përkëdhelur Rebekën, gruan e tij.

9Atëherë thirri Isakun e i tha: «Pa dyshim ajo është gruaja jote. Si munde të thuash: “Është motra ime”?». Isaku iu përgjigj: «Mendova se do të vdisja për shkak të saj».

10Abimeleku tha: «Ç'është kjo që na bëre? Për pak, dikush mund të flinte me gruan tënde e kështu do të na bëje fajtorë».

11Kështu, Abimeleku urdhëroi tërë popullin: «Kushdo që prek këtë njeri dhe gruan e tij, me të vërtetë do të vdesë».

12Isaku mbolli në atë vend e po atë vit korri njëqindfish. Zoti e bekoi

13dhe ai u pasurua. Pasuria e tij sa vinte e shtohej derisa u bë shumë e madhe.

14Ai pati dhen, qe e shumë shërbëtorë. Filistinët e kishin zili,

15prandaj ia mbyllën e ia mbuluan me dhe të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit, në kohën e Abrahamit.

16Atëherë Abimeleku i tha Isakut: «Largohu, sepse je bërë më i fuqishëm se ne».

17Isaku u largua prej andej, fushoi në luginën e Gerarit e banoi atje.

18Ai i rihapi puset e hapura në kohën e Abrahamit, atit të tij, që filistinët mbyllën pas vdekjes së Abrahamit e i quajti njësoj siç i kishte quajtur i ati.

19Shërbëtorët e Isakut gërmuan në luginë e gjetën një burim me ujë të freskët.

20Barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut e thanë: «Uji është yni!». Ai e quajti pusin Esek, sepse ata u grindën me të.

21Hapën dhe një pus tjetër, por edhe për të u grindën, prandaj e quajti Sitna.

22Pastaj lëvizi prej andej dhe hapi një pus tjetër. Por për këtë pus nuk u grindën. Kështu, e quajti Rehobot e tha: «Tani Zoti na ka hapur vend e aty do të shumohemi».

23Prej andej u nis për në Bershebë.

24Po atë natë Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd. Mos ki frikë, se unë jam me ty. Do të të bekoj e do t'i shumoj pasardhësit e tu për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim».

25Isaku ngriti një altar dhe thirri emrin e Zotit. Aty vuri tendën dhe, po aty, shërbëtorët e tij hapën një pus.

26Ndërkaq Abimeleku erdhi tek ai prej Gerarit bashkë me Ahuzatin mikun e tij dhe Pikolin, prijësin e ushtrisë së tij.

27Isaku u tha: «Përse erdhët tek unë? Ju më urreni e më keni dëbuar».

28Ata u përgjigjën: «Kemi parë qartë se Zoti ka qenë me ty. Atëherë thamë të bëjmë një betim mes dy palëve, mes nesh dhe teje, e le të lidhim një besëlidhje me ty,

29që të mos na bësh ndonjë gjë të ligë ashtu si dhe ne nuk të prekëm, por të bëmë vetëm mirë e të lamë të shkoje në paqe. Tani ti je i bekuari i Zotit ».

30Atëherë Isaku u përgatiti një gosti e ata hëngrën e pinë.

31Kur u ngritën herët në mëngjes, u betuan me njëri-tjetrin. Isaku i përcolli e ata u larguan prej tij në paqe.

32Po atë ditë erdhën shërbëtorët e Isakut, i treguan për pusin që kishin hapur e i thanë: «Gjetëm ujë».

33Kështu, ai e quajti Shebë, prandaj qyteti quhet Bershebë deri më sot.

34Esau ishte dyzet vjeç kur mori për grua Juditën, bijën e Ber Hititit, dhe Basematën, bijën e Elon Hititit.

35Këto u bënë shkak hidhërimi për Isakun e Rebekën.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 26.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.