Genesis 18AL1

1Zoti iu shfaq Abrahamit te lisat e Mamreut, në zhegun e ditës, kur ai po rrinte në të hyrë të tendës.

2Abrahami ngriti sytë dhe, ja, pa tre burra që po qëndronin para tij. Si i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t'i takonte, u përkul me nderim përtokë,

3e tha: «O Zoti im, nëse kam gjetur hir para teje, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt.

4Do t'ju sjellin pak ujë që të lani këmbët e të pushoni nën pemë.

5Unë po ju sjell një kafshatë bukë që të merrni veten, meqë kaluat nga shërbëtori juaj. Pastaj vazhdoni rrugën». Ata iu përgjigjën: «Bëj, pra, siç the».

6Abrahami nxitoi drejt tendës te Sara e i tha: «Shpejt, gatuaj tre masa majë mielli e bëj kuleç!».

7Ai vetë vrapoi drejt kopesë, mori një viç të njomë e të mirë e ia dha shërbëtorit që e përgatiti me të shpejtë.

8Pastaj mori mazë, qumësht e viçin që ishte përgatitur e ua shtroi përpara. Dhe ai qëndroi në këmbë, ndërsa ata hanin nën pemë.

9Atëherë ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?». Ai u përgjigj: «Aty, në tendë!».

10Njëri prej të tyre i tha: «Me të vërtetë, do të vij te ti pas një viti, e Sara, gruaja jote, do të bëhet me djalë». Sara po dëgjonte në të hyrë të tendës që ishte mbrapa tij.

11Abrahami e Sara ishin të moshuar dhe Sarës i ishin ndalur të përmuajshmet e grave.

12Kështu, Sara qeshi me vete e tha: «Tani që jam vyshkur e zotëria im është plak, a thua do të kem ende dëshirë?!».

13Zoti i tha Abrahamit: «Përse qeshi Sara e tha: “Me të vërtetë do të lind tani që u plaka?”.

14A ka gjë të pamundur për Zotin? Si sot një vit, do të kthehem te ti dhe Sara do të jetë bërë me djalë».

15Por Sara e mohoi nga frika e tha: «Jo, nuk qesha». Por ai i tha: «Po, po, qeshe!».

16Pastaj ata u ngritën prej aty e panë drejt Sodomës. Abrahami shkoi bashkë me ta për t'i përcjellë.

17Atëherë Zoti tha: «A do t'ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë?

18Abrahami me të vërtetë do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm e në të do të bekohen tërë kombet e tokës,

19sepse unë e zgjodha që t'i urdhërojë bijtë e tij e shtëpinë e tij, pas tij, për të ndjekur udhën e Zotit, duke bërë çka është e drejtë e drejtësi, që Zoti të plotësojë gjithçka që i tha Abrahamit».

20Kështu, Zoti tha: «Gjëma e Sodomës dhe e Gomorrës është e madhe e mëkati i tyre është shumë i rëndë.

21Do të zbres poshtë e të shoh nëse po veprojnë ashtu siç dëgjova. Atëherë, do ta di».

22Atëherë burrat u kthyen prej andej e shkuan drejt Sodomës, ndërsa Abrahami ende po qëndronte para Zotit.

23Abrahami u afrua e tha: «A do ta zhdukësh, me të vërtetë, të drejtin bashkë me të ligun?

24Ndoshta qyteti ka pesëdhjetë njerëz të drejtë. Me të vërtetë do ta zhdukësh e nuk do ta falësh për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë aty?

25Larg qoftë që ta bësh këtë, të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, duke i trajtuar të drejtin e të ligun njësoj. Larg qoftë! Vallë, gjykatësi i gjithë tokës nuk do të tregohet i drejtë?».

26Zoti tha: «Nëse gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, për hir të tyre do ta fal tërë vendin».

27Abrahami iu përgjigj: «Ja, unë që jam pluhur e hi po marr guximin të flas me Zotin tim.

28Ndoshta, këtyre pesëdhjetë njerëzve të drejtë u mungojnë pesë njerëz. A do ta shkatërrosh tërë qytetin për shkak të këtyre të pestëve?». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj, nëse atje gjej dyzet e pesë».

29Abrahami i tha përsëri: «Ndoshta do të gjenden vetëm dyzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dyzetëve».

30Pastaj, Abrahami i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them: ndoshta atje do të gjenden vetëm tridhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj nëse gjej tridhjetë».

31Abrahami i tha: «Ja, po marr guximin të flas përsëri me Zotin tim: ndoshta, atje do të gjenden vetëm njëzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve».

32Atëherë ai i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them për herë të fundit: ndoshta atje do të gjenden vetëm dhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve».

33Kur Zoti mbaroi së foluri me Abrahamin, u largua dhe Abrahami u kthye në vendin e tij.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 18.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.