Genesis 14AL1

1Në atë kohë Amrafeli, mbreti i Shinarit, Arjoku, mbreti i Elasarit, Kedorlaomeri, mbreti i Elamit e Tidali, mbreti i Gojimit

2bënë luftë kundër Berait, mbretit të Sodomës, Birshait, mbretit të Gomorrës, Shinabit, mbretit të Admës, e Shemeberit, mbretit të Ceboimit e të Belës që është Coari.

3Të gjithë këta të fundit u bashkuan në luginën e Sidimit që është deti i Kripur.

4Për dymbëdhjetë vjet ata i shërbyen Kedorlaomerit, por në vitin e trembëdhjetë ngritën krye.

5Në vitin e katërmbëdhjetë, Kedorlaomeri e mbretërit bashkë me të erdhën e i mundën refaitët në Ashterot Karnaim, zuzitët në Ham, emitët në Shaveh Kirjataim

6e horitët në malet e tyre të Seirit deri në El Paran që është pranë shkretëtirës.

7Pastaj ata u kthyen e shkuan në En Mishpat, që është në Kadesh, e u ranë të gjitha krahinave të amalekitëve e amoritëve që banonin në Hacecon Tamar.

8Atëherë u çua mbreti i Sodomës, mbreti i Gomorrës, mbreti i Admës, mbreti i Ceboimit e mbreti i Belës, që është Coari, e u rreshtuan për luftë në luginën e Sidimit

9kundër Kedorlaomerit, mbretit të Elamit, Tidalit, mbretit të Gojimit, Amrafelit, mbretit të Shinarit e Arjokut, mbretit të Elasarit. Katër mbretër kundër pesë të tjerëve.

10Lugina e Sidimit ishte plot me puse zifti. Mbretërit e Sodomës e Gomorrës ia mbathën e ranë në to, ndërsa ata që shpëtuan ikën maleve.

11Të katër mbretërit plaçkitën tërë pasurinë e Sodomës e të Gomorrës dhe gjithë ushqimet e tyre e u larguan.

12Ata zunë edhe Lotin, nipin e Abramit, që banonte në Sodomë, bashkë me pasurinë e tij, e u larguan.

13Një prej atyre që kishin shpëtuar erdhi dhe e njoftoi Abram Hebreun që banonte pranë lisave të Mamre Amoritit. Ky ishte i vëllai i Eshkolit dhe Anerit që ishin aleat me Abramin.

14Kur Abrami dëgjoi se i nipi u zu rob, ngriti për luftë treqind e tetëmbëdhjetë njerëz të stërvitur, të lindur në shtëpinë e tij, e i ndoqi mbretërit deri në Dan.

15Gjatë natës, i ndau shërbëtorët në grupe kundër tyre. I mundi mbretërit e i ndoqi deri në Hobah që është në veri të Damaskut.

16Pastaj rimori gjithë pasurinë. Mori edhe nipin e tij, Lotin, bashkë me pasurinë e tij, me gratë e popullin.

17Kur Abrami po kthehej, pasi kishte mposhtur Kedorlaomerin e mbretërit që ishin me të, mbreti i Sodomës doli ta takonte në luginën e Shavehut. Ajo është lugina e Mbretit.

18Atëherë Melkisedeku, mbreti i Salemit, solli bukë e verë. Ai ishte prifti i Perëndisë së tejlartë.

19Ai e bekoi e tha: «Bekuar qoftë Abrami nga Perëndia i tejlartë, krijues i qiellit e i tokës!

20Bekuar qoftë Perëndia i tejlartë, që t'i dorëzoi ty armiqtë!». Atëherë Abrami i dha të dhjetën e çdo gjëje.

21Mbreti i Sodomës i tha Abramit: «M'i kthe njerëzit, ndërsa pasurinë mbaje për vete».

22Abrami i tha mbretit të Sodomës: «Jam betuar para Zotit, Perëndisë së tejlartë, krijuesit të qiellit e tokës,

23se nuk do të marr asnjë fije peri e asnjë lidhëse sandalesh, asgjë prej gjërave që të përkasin, që të mos thuash: “Unë e bëra Abramin të pasur”.

24Nuk do të marr asgjë për vete, përveçse çfarë hëngrën djemtë e pjesën që u përket burrave që erdhën me mua, Anerit, Eshkolit e Mamreut. Këta le të marrin pjesën e tyre».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Genesis 14.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.