Ezekiel 37
1 Dora e Zotit ishte mbi mua. Me anë të shpirtit të Zotit më shpuri e më vendosi në mes të luginës që ishte plot me eshtra.
2 Ai më solli rreth tyre dhe, ja, kishte aq shumë mbi sipërfaqen e luginës dhe ishin aq të thata.
3 Ai më tha: «Bir i njeriut, a mund të ngjallen këto eshtra?». Unë u përgjigja: «Zoti im, Zot, ti e di».
4 Atëherë më tha: «Profetizoju këtyre eshtrave e thuaju: o eshtra të thata, dëgjojeni zërin e Zotit.
5 Kështu u thotë Zoti im, Zoti, këtyre eshtrave: ja, unë do të shtie shpirtin në ju e ju do të ngjalleni.
6 Do të vë në ju deje, do të vë mbi ju mish, do t'ju mbuloj me lëkurë, do të fus në ju shpirtin e ju do të ngjalleni. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti ».
7 Unë profetizova siç më ishte urdhëruar. Teksa profetizoja, pati kërcëllitje. Dhe, ja, drithërima! Eshtrat u afruan asht me asht.
8 Unë pashë dhe, ja, dejet e mishi u vendosën mbi to dhe u mbuluan me lëkurë përsipër, por shpirt nuk kishin.
9 Pastaj më tha: «Profetizoji shpirtit! Profetizo, bir i njeriut, e thuaji shpirtit se kështu thotë Zoti im, Zoti: eja nga të katër erërat, o shpirt, e fryj mbi këta të vrarë, që të ngjallen».
10 Unë profetizova siç më kishte urdhëruar. Atëherë shpirti erdhi tek ato. U ngjallën e u ngritën më këmbë. Ishte një ushtri tejet, tejet e madhe.
11 Atëherë më tha: «Bir i njeriut, këto eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ja, ata thonë: na janë tharë eshtrat, na u fishk shpresa e jemi këputur.
12 Prandaj profetizo e thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja tek po i hap varret tuaja dhe do t'ju ngre nga varret, o populli im. Do t'ju çoj në tokën e Izraelit
13 e do ta merrni vesh se unë jam Zoti, pasi t'ju zhgropos e pasi t'ju ngre nga varret, o populli im.
14 Do të vë shpirtin tim në ju, ju do të ngjalleni e unë do t'ju vendos në tokën tuaj. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti. Fola e kështu do të veproj, kumton Zoti ».
15 Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:
16 «Bir i njeriut, merr një copë dru e shkruaj në të: “Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, ortakë me të”. Pastaj merr një tjetër copë druri e shkruaj në të: “Për Jozefin, pemën e Efraimit, dhe për tërë shtëpinë e Izraelit, ortake me të”.
17 Pastaj afroi me njëri-tjetrin, që të bëhen një dru i vetëm, një i vetëm në dorën tënde.
18 Kur të të pyesin bijtë e popullit tënd: a nuk do të na tregosh ç'kuptim kanë këto për ty?
19 Ti thuaju: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e marr drurin e Jozefit me fiset e Izraelit, ortakët e tij, që është në dorën e Efraimit, dhe do ta vë në drurin e Judës, për t'i bërë një dru të vetëm. Do të bëhen një gjë e vetme në dorën time.
20 Kur të kesh në dorë drurët mbi të cilët do të kesh shkruar, para syve të tyre,
21 thuaju: kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do t'i marr bijtë e Izraelit nga bijtë e kombeve ku kanë shkuar, do t'i mbledh anembanë e do t'i sjell në tokën e tyre.
22 Do t'i bëj një komb të vetëm në vend, nëpër malet e Izraelit. Një mbret i vetëm do të jetë mbret mbi të gjithë ata. Nuk do të jenë më dy kombe e nuk do të jenë më të ndarë në dy mbretëri.
23 Nuk do të përdhosen më me idhujt e me pështirësitë e tyre apo me çfarëdo shkelje të tyren. Unë do t'i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë me të cilat kanë mëkatuar e do t'i pastroj. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre.
24 Shërbëtori im, Davidi, do të jetë mbret mbi ta e do të kenë një bari të vetëm. Do të ecin sipas vendimeve të mia dhe do t'i dëgjojnë e do t'i zbatojnë rregullat e mia.
25 Do të banojnë në tokën që i dhashë shërbëtorit tim Jakobit, ku banuan etërit tuaj.
26 Do të bëj me ta besëlidhje paqeje. Do të jetë besëlidhje e amshuar. Do t'i vendos në tokën e tyre, do t'i shumoj e do ta vendos shenjtëroren time mes tyre përgjithmonë.
27 Tek ata do të jetë banesa ime. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im.
28 Atëherë kombet do ta marrin vesh se unë jam Zoti, që e shenjtëron Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë mes tyre përgjithmonë».