Exodus 5AL1

1Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e i thanë faraonit: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Lëre popullin tim të shkojë që të më kremtojë një festë në shkretëtirë”».

2Por faraoni u tha: «Kush është Zoti që t'ia dëgjoj fjalën dhe ta lë Izraelin të shkojë. As Zotin nuk e njoh, as Izraelin nuk do ta lë të shkojë!».

3Ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve na u dëftua. Na lër të shkojmë për tri ditë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë, e ai të mos na godasë me murtajë e shpatë».

4Atëherë mbreti i Egjiptit u tha: «Moisi, Aron, përse po e nxisni popullin t'i shmanget punës? Kthehuni në punë!».

5Faraoni shtoi: «Tani që populli i vendit është shtuar shumë, ju prapë doni që të ndërpresë punën?».

6Po atë ditë faraoni u dha këtë urdhër mbikëqyrësve dhe kryepunëtorëve të popullit:

7«Mos i jepni më popullit kashtë sikurse bëhej më parë. Ta mbledhin vetë kashtën,

8por numri i tullave që do t'u kërkoni të jetë si më parë. Mos ua pakësoni numrin, sepse janë përtacë dhe prandaj thërrasin: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Perëndisë tonë”.

9T'u vështirësohet puna që të punojnë e të mos merren me fjalë të kota!».

10Mbikëqyrësit dhe kryepunëtorët dolën e i thanë popullit: «Kështu thotë faraoni: “Nuk do t'ju jap më kashtë!

11Kashtën do ta mblidhni vetë kudo që të jetë dhe puna nuk do t'ju ulet aspak”».

12Populli u shpërnda në gjithë tokën e Egjiptit për të mbledhur byk për kashtë.

13Mbikëqyrësit i detyronin të bënin përditë po aq punë sa bënin kur kishin kashtë.

14Kryepunëtorët izraelitë që ishin caktuar nga mbikëqyrësit e faraonit u rrahën. Atyre u thuhej: «Përse nuk keni plotësuar as dje e as sot të njëjtin numër tullash që bënit më parë?».

15Atëherë kryepunëtorët izraelitë shkuan te faraoni dhe iu ankuan: «Përse po sillesh kështu me shërbëtorët e tu?

16Shërbëtorëve të tu nuk u është dhënë kashtë dhe prapë na thuhet të bëjmë tulla. Shërbëtorët e tu i rrahin, por fajin e kanë njerëzit e tu».

17Faraoni u tha: «Jeni përtacë, shumë përtacë, prandaj dhe thoni: “Na lër të shkojmë e t'i kushtojmë fli Zotit ”.

18Tani ikni e punoni se kashtë nuk do t'ju jepet, por do të bëni të njëjtin numër tullash».

19Kryepunëtorët izraelitë panë se e kishin punën keq kur dëgjuan se nuk do të ulej numri i tullave që bënin përditë.

20Kur dolën nga faraoni takuan Moisiun e Aronin që po i prisnin.

21Atëherë kryepunëtorët u thanë: « Zoti ju paftë e gjykoftë, se na fëlliqët para faraonit e shërbëtorëve të tij dhe u dhatë shkas që të na vrasin».

22Moisiu iu drejtua Zotit e i tha: «Imzot, përse e mundon këtë popull? Për këtë më dërgove?

23Që kur erdha për t'i folur faraonit në emrin tënd, ai e ka munduar popullin tënd dhe ti nuk e ke shpëtuar!».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Exodus 5.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.