Exodus 27AL1

1«Puno një altar me dru akacieje. Altari të jetë katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë.

2Në të katër këndet e altarit puno nga një bri. Ata të jenë një me altarin dhe të veshur me bronz.

3Rrethjet për të mbledhur hirin, terplotet, legenët, pirunët, kacitë dhe tërë enët e altarit bëji prej bronzi.

4Bëj një skarë prej bronzi. Bëj mbi të katër rrathë bronzi, një për çdo kënd.

5Vendose poshtë, nën buzën e altarit, që të jetë në mes.

6Bëj për altarin shufra me dru akacieje dhe vishi me bronz.

7Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër rrathë në të dyja anët e altarit.

8Altarin bëje me dërrasa e lëre të zbrazët brenda. Bëje ashtu siç t'u tregua në mal.

9Bëj një oborr për tendën. Krahu jugor i oborrit të rrethohet me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë.

10Ai krah të ketë njëzet shtylla dhe baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta.

11Po kaq i gjatë të jetë edhe krahu verior. Edhe ai të rrethohet me njëqind kute pëlhurë dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta.

12Krahu perëndimor i oborrit të rrethohet me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza.

13Edhe krahu lindor të jetë pesëdhjetë kute i gjatë.

14Ky krah të ketë pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes

15dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes.

16Në hyrje të oborrit të bëhet një perde njëzet kute e gjatë. Ajo të punohet prej liri të tjerrë hollë dhe të qëndiset me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Për të, të bëhen katër shtylla e baza.

17Tërë shtyllat përreth oborrit të mbërthehen me shtiza të argjendta. Grremçat t'i kenë prej argjendi, ndërsa bazat prej bronzi.

18Oborri të jetë njëqind kute i gjatë, pesëdhjetë kute i gjerë dhe pesë kute i lartë. Të rrethohet prej liri të tjerrë hollë dhe të ketë shtylla prej bronzi.

19Tërë sendet e tjera të tendës, tërë kunjat e tendës dhe të oborrit të jenë prej bronzi.

20Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë.

21Aroni e bijtë e tij do ta mbajnë ndezur para Zotit nga mbrëmja në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky do të jetë një rregull i përhershëm për tërë breznitë e Izraelit».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Exodus 27.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.