Exodus 13
1 Zoti i tha Moisiut:
2 «M'i kushto tërë të parëlindurit! Fryti i parë i çdo barku në Izrael, si i njerëzve, ashtu dhe i kafshëve, do të më përkasë mua!».
3 Atëherë Moisiu i tha popullit: «Kujtojeni këtë ditë në të cilën dolët nga Egjipti, nga vendi i skllavërisë, sepse Zoti ju shpëtoi që andej me dorën e tij të fuqishme. Mos hani bukë të mbrujtur,
4 sepse sot, në muajin e Abibit, po dilni nga Egjipti.
5 Mbaje këtë rit në këtë muaj edhe kur Zoti të të çojë në tokën e kananitëve, hititëve, amoritëve, hivitëve dhe jebusitëve, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, të cilën u zotua t'ua japë etërve të tu.
6 Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme dhe ditën e shtatë do të kremtosh për nder të Zotit.
7 Për shtatë ditë të hahet bukë e ndorme. Të mos gjendet bukë e mbrujtur e tharm askund në vendin tënd.
8 Atë ditë do t'i thuash birit tënd: “Kjo bëhet për çfarë Zoti bëri për mua kur dola nga Egjipti”.
9 Mbaje këtë si shenjë në dorë e në ballë që ligji i Zotit të jetë gjithmonë në buzët e tua, sepse Zoti të nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme.
10 Mbaje këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti.
11 Kur Zoti të të çojë në tokën e Kanaanit e të ta japë atë, ashtu siç t'u betua ty dhe etërve të tu,
12 kushtoji Zotit çdo fryt të parë të barkut. Çdo pjellë e parë e kafshëve që është mashkull do t'i përkasë Zotit.
13 Pjellën e parë të gomarit shpaguaje me dele. Nëse nuk e shpaguan, thyeja qafën. Do të shpaguash edhe tërë të parëlindurit meshkuj të bijve të tu.
14 Në të ardhmen, kur yt bir të pyesë për këtë rregull, thuaji: “ Zoti na nxori nga Egjipti, nga vendi i skllavërisë, me dorë të fuqishme.
15 Kur faraoni këmbënguli që të mos iknim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, si të kafshëve, edhe të njerëzve. Prandaj dhe unë ia flijoj Zotit çdo fryt të parë të barkut që është mashkull, por të parëlindurit e bijve të mi i shpaguaj”.
16 Mbaje këtë si shenjë në dorë e si shirita në ballë, sepse Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme».
17 Faraoni e la popullin të ikë, por Perëndia nuk u priu nëpër tokën e filistinëve, edhe pse ishte më afër, sepse tha se po të përballej me luftë, populli do të pendohej e do të kthehej në Egjipt.
18 Kështu, Perëndia e solli popullin nëpër shkretëtirë drejt detit të Kuq dhe izraelitët marshuan prej Egjiptit në formacion lufte.
19 Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse ky u kishte kërkuar bijve të Izraelit të betohen kur u kishte thënë: «Perëndia me të vërtetë do të kujtohet për ju. Kur të ndodhë kjo, m'i merrni me vete eshtrat».
20 Pasi u larguan nga Sukoti, izraelitët fushuan në Etam, buzë shkretëtirës.
21 Gjatë ditës, Zoti u printe përpara me një shtyllë reje për t'u treguar udhën, ndërsa gjatë natës u printe me një shtyllë zjarri për t'u dhënë dritë, që izraelitët të udhëtonin ditë e natë.
22 Shtylla e resë dhe ajo e zjarrit ishin gjithmonë përpara popullit, ditë e natë.