Ephesians 6AL1

1Ju fëmijë, bindjuni prindërve tuaj për hir të Zotit, sepse kjo është e drejtë.

2Ndero atin tënd e nënën tënde, ky është urdhërimi i parë që shoqërohet me premtim:

3që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe.

4Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën e me këshillat e Zotit.

5Ju shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj tokësorë me nderim e frikë dhe me zemër të sinqertë, sikurse Krishtit,

6jo sa për sy e faqe, si ata që duan t'u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, që bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt.

7Shërbeni me dashamirësi si t'i shërbenit Zotit e jo njerëzve,

8duke e ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav a i lirë, do të marrë shpërblimin prej Zotit.

9Edhe ju, zotërinj, silluni po ashtu me ta e hiqni dorë nga kërcënimet, duke e ditur se edhe ju, edhe skllevërit tuaj, keni të njëjtin Zot në qiej, i cili nuk mban anën e askujt.

10Së fundi, forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij.

11Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit.

12Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore.

13Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t'i bëni ballë ditës së ligë e të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund.

14Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën e vishni drejtësinë si parzmore.

15Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes.

16Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit që është fjala e Perëndisë.

18Lutuni në çdo kohë dhe drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti. Prandaj rrini zgjuar e këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë të shenjtët.

19Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit.

20Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.

21Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t'ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh sesi jam e çfarë po bëj.

22Po e dërgoj te ju, që të dini sesi jemi e që t'u japë ngushëllim zemrave tuaja.

23Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri e besim.

24Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me dashuri të pavdekshme!

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Ephesians 6.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.