Ecclesiastes 7
1 Më mirë një emër i mirë, se vaji erëkëndshëm, dita e vdekjes, se dita e lindjes.
2 Më mirë të shkosh në shtëpinë që mban zi, se në shtëpinë që bën festë, se po ai fund pret çdo njeri. Ta mbajë mend i gjalli!
3 Më i mirë është pikëllimi, se buzagazi, se pas një fytyre të ngrysur ka një zemër të mirë.
4 Zemra e të urtit është në shtëpinë që mban zi, por zemra e të marrit, në shtëpinë që bën festë.
5 Më mirë të dëgjosh qortimin e të urtit, se të dëgjosh këngën e të marrit.
6 Se porsi krikëllima e ferrave nën kusi, ashtu është e qeshura e të marrit. Edhe kjo është tymnajë.
7 Mujshia e bën të marrë të urtin dhe mita e prish zemrën.
8 Më mirë fundi i një gjëje, se fillimi, më mirë shpirti i durueshëm, se shpirti i krekosur.
9 Mos u ngut të zemërohesh, se në gjirin e të marrit zë vend zemërimi.
10 Mos thuaj: «Pse kohët e dikurshme ishin më të mira se këto?», se këtë pyetje nuk e bën nga urtia.
11 E mirë është urtia bashkë me trashëgiminë, dobi për atë që sheh dritën e diellit.
12 Nën hijen e urtisë është si nën hijen e parasë, por dobinë e ka dija. Urtia e mban gjallë të zotin.
13 Shiko veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë çfarë ka shtrembëruar ai?
14 Në ditë të mbarë bëhu i mbarë dhe, në ditë të ligë, vërej: edhe këtë, edhe atë i ka bërë Perëndia, që njeriu të mos e marrë vesh çdo të ndodhë pas tij.
15 Kam parë gjithçka në ditët e tymnajës sime. Ka të drejtë që marrin fund në drejtësinë e vet e ka të paudhë që jetojnë gjatë në paudhësinë e vet.
16 Mos u bëj shumë i drejtë e as tepër i urtë. Pse të rrënohesh?
17 Mos u bëj shumë i paudhë e mos u bëj i marrë. Pse të vdesësh para kohe?
18 Është mirë të kapësh një gjë, por pa e lëshuar tjetrën, se kush druan Perëndinë ia del me të gjitha.
19 Urtia i jep forcë të urtit më shumë se dhjetë sundues në qytet.
20 Nuk ka mbi tokë asnjeri që bën mirë e nuk mëkaton.
21 Mos ua vër mendjen as të gjitha fjalëve që thonë, që të mos e dëgjosh shërbëtorin duke të të sharë.
22 Zemra jote e di se edhe ti i ke sharë të tjerët.
23 Të gjitha këto i sprovova me urti e thashë: «Do të bëhem i urtë», por nuk ia arrita.
24 Çfarë ndodh, mbetet larg e shumë thellë! Kush mund ta pikasë?
25 E prira zemrën për të marrë vesh, për të hulumtuar, për të kërkuar urtinë e shpjegimin dhe për të marrë vesh se ligësia është marrëzi e marrëzia është çmenduri.
26 Më duket se gruaja është më e hidhur se vdekja, se ajo është kurth, zemra e saj është rrjetë e krahët e saj janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë, ikën prej saj, por mëkatari zihet prej saj.
27 Shiko, këtë gjë e kam zbuluar, thotë kuvendari, për të gjetur një shpjegim të hollësishëm.
28 Ajo që ende e kërkoj me shpirt, por nuk e gjej, është kjo: një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta.
29 Veçse, vëreje këtë: më duket se Perëndia e krijoi njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë sendërgjime.