Deuteronomy 10AL1

1«Asokohe, Zoti më tha: “Lato dy rrasa guri si të parat, puno për vete një arkë prej druri e ngjitu tek unë në mal,

2që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat e para që theve. Ato vendosi në arkë”.

3Kështu, punova një arkë me dru akacieje, latova dy rrasa guri si të parat e, me to në duar, u ngjita në mal.

4Atëherë Zoti shkroi në rrasa, si më parë, dhjetë urdhërimet që i tha nga mesi i zjarrit, në mal, në ditën e tubimit e m'i dha mua.

5Pastaj u ktheva, zbrita nga mali e i vendosa rrasat në arkën që kisha bërë. Ato janë aty ku urdhëroi Zoti.

6Izraelitët u nisën nga burimet e Bene Jakanit drejt Moserahut. Atje vdiq e u varros Aroni. Në vend të tij u bë prift Eleazari.

7Prej andej u nisën drejt Gudgodës e prej Gudgodës shkuan në Jotbatah, një toke me përrenj.

8Asokohe, Zoti e ndau veças fisin e Levit, siç është edhe sot, që të mbajë arkën e besëlidhjes së Zotit, që të qëndrojë para Zotit për t'i shërbyer e për të bekuar në emër të tij.

9Prandaj, Levi nuk ka pjesë në trashëgiminë e vëllezërve të tij. Zoti është trashëgimia e tij, siç i tha Zoti, Perëndia yt.

10Unë qëndrova në mal si më parë, dyzet ditë e dyzet net dhe Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. Ai nuk deshi t'ju shfaroste.

11Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e priji popullit, që të shkojnë e të pushtojnë tokën për të cilën iu betova etërve tuaj për t'ua dhënë”.

12Tani, Izrael, Zoti, Perëndia yt, nuk kërkon gjë tjetër prej teje, veç ta druash, të ecësh udhës së tij, ta duash, t'i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt

13dhe t'i mbash, për të mirën tënde, urdhërimet e Zotit e rregullat që po të urdhëroj unë sot.

14Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qielli, skaj më skaj, toka e gjithçka në të.

15Megjithatë, Zoti pati për zemër dhe deshi vetëm etërit tuaj. Nga mesi i gjithë popujve ai zgjodhi pasardhësit e tyre, siç është edhe sot.

16Rrethprituni në zemër e mos u tregoni kokëfortë më,

17se Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zoti i zotërve, Perëndia i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm. Ai nuk mban anë e nuk merr mitë.

18I jep të drejtën jetimit e të vesë. E do të ardhurin e i jep bukë e rroba.

19Duajeni të ardhurin, sepse edhe ju ishit të ardhur në tokën e Egjiptit.

20Druaje Zotin, Perëndinë tënd, e shërbeji. Mbahu fort pas tij e në emrin e tij betohu.

21Ai është lavdia e Perëndia yt. Ai i bëri për ty këto vepra të mëdha e të mrekullueshme që i ke parë me sytë e tu.

22Etërit e tu ishin vetëm shtatëdhjetë frymë kur shkuan në Egjipt, ndërsa tani, Zoti, Perëndia yt, të ka shumuar sa yjet e qiellit».

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for Deuteronomy 10.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.