2 Kings 21AL1

1Manaseu ishte dymbëdhjetë vjeç kur u bë mbret i Judës. Ai mbretëroi pesëdhjetë e pesë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Hefciba.

2Manaseu bëri çka është keq në sytë e Zotit, duke ndjekur doket e pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve.

3Ai rindërtoi faltoret në vende të larta, që ati i tij, Ezekia, i kishte shkatërruar, ngriti altarë për Baalin, punoi një shtyllë të Asherasë, ashtu siç kishte bërë Ahabi, mbreti i Izraelit, dhe adhuroi tërë yjet e qiellit e u shërbeu si perëndi.

4Ndërtoi altarë idhujsh edhe brenda tempullit të Zotit, për të cilin vetë Zoti kishte thënë: «Në Jerusalem do të vë emrin tim».

5I ndërtoi altarë mbarë ushtrisë qiellore në të dyja tremet e tempullit të Zotit.

6Manaseu kushtoi edhe të birin si fli në zjarr, u mor me shortari e me magji, u këshillua me ata që thërrasin shpirtra të vdekurish e me shortarë dhe bëri aq shumë ligësi para syve të Zotit, saqë ndezi zemërimin e tij.

7Ai punoi edhe një shtyllë të Asherasë dhe e vuri në tempullin e Zotit, për të cilin Zoti i kishte thënë Davidit dhe Solomonit, birit të Davidit: «Në këtë tempull dhe në Jerusalem, të cilin e zgjodha ndër të gjitha fiset e Izraelit, unë do të vendos emrin tim në amshim.

8Unë nuk do të lejoj më që këmbët e izraelitëve të enden larg kësaj toke, të cilën ua dhashë paraardhësve të tyre, veçse ata të zbatojnë të gjitha urdhërimet e mbarë ligjin që unë i dhashë shërbëtorit tim, Moisiut».

9Por ata nuk dëgjuan dhe Manaseu i joshi të bëjnë më shumë ligësi se kombet që Zoti shkatërroi para syve të izraelitëve.

10Atëherë Zoti foli përmes profetëve, shërbëtorëve të tij, e tha:

11«Manaseu, mbreti i Judës ka bërë gjëra të pështira e madje ka bërë më shumë ligësi se të gjitha ligësitë e amoritëve që ishin para tij. Me idhujt që bëri ka shtyrë edhe Judën në mëkat.

12Prandaj, kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Ja, unë do të sjell aq shumë fatkeqësi mbi Jerusalemin e mbi Judën, saqë kush ta dëgjojë, do t'i buçasin veshët.

13Do të shtrij mbi Jerusalem litarin, me të cilin mata shkatërrimin e Samarisë, dhe sheshuesin, me të cilin sheshova shtëpinë e Ahabit. Jerusalemin do ta fshij ashtu siç fshihet kupa, që pasi e fshin, e kthen përmbys.

14Të mbeturit nga trashëgimia ime do t'i braktis e do t'i jap në duart e armiqve, që të bëhen pre e plaçkë për armiqtë,

15sepse ata bënë çka është keq në sytë e mi dhe ndezën zemërimin tim, që nga dita kur nxora paraardhësit e tyre nga Egjipti e deri sot e kësaj dite”».

16Manaseu derdhi gjakun e aq shumë të pafajshmëve, saqë e mbushi Jerusalemin buzë më buzë, pa marrë parasysh mëkatet e tjera, me të cilat shtyu edhe Judën të bëjë çka është keq në sytë e Zotit.

17Bëmat e tjera të Manaseut, veprat dhe mëkatet e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.

18Manaseu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë së tij, në kopshtin e Uzait. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.

19Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për dy vjet në Jerusalem. E ëma quhej Meshulemete dhe ishte bija e Harucit nga Jotbahu.

20Amoni bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Manaseu.

21Ai ndoqi në çdo hap udhën e të atit, u shërbeu idhujve, të cilëve u kishte shërbyer edhe i ati, dhe i adhuroi.

22Ai e braktisi Zotin, Perëndinë e etërve të tij, dhe nuk ndoqi udhën e Zotit.

23Shërbëtorët e Amonit u ngritën kundër tij dhe e vranë brenda në pallatin mbretëror.

24Por populli i atij vendi i vrau të gjithë ata që ishin ngritur kundër mbretit Amon dhe në vend të tij bënë mbret Josinë, të birin.

25Bëmat e tjera të Amonit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.

26Amonin e varrosën në varrin e tij, në kopshtin e Uzait. Në vend të tij mbretëroi i biri, Josia.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 2 Kings 21.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.