2 Kings 12AL1

1Jehoashi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë.

2Ai u bë mbret në vitin e shtatë të mbretërimit të Jehut në Izrael. Jehoashi mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem. E ëma quhej Cibia dhe ishte nga Bersheba.

3Jehoashi bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë jetës, sepse e kishte mësuar prifti Jehojada.

4Megjithatë, faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to.

5Jehoashi u tha priftërinjve: «Të gjitha paratë që sillen në tempullin e Zotit për shërbesat e shenjta, paratë që paguhen si detyrim, që kushtohen si shpagim jete apo që sillen me dëshirë,

6t'i marrin priftërinjtë, secili nga të afërmit e vet, dhe të ndreqin dëmtimet e tempullit, kudo që të jenë».

7Por në vitin e njëzet e tretë të mbretërimit të Jehoashit, priftërinjtë nuk i kishin ndrequr ende dëmtimet e tempullit.

8Atëherë mbreti Jehoash thirri priftin Jehojada bashkë me priftërinjtë e tjerë e u tha: «Përse nuk i keni ndrequr dëmtimet e tempullit? Që tani mos i merrni më ju paratë nga të afërmit tuaj, por i lini për ndreqjen e dëmtimeve të tempullit».

9Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli dhe të mos merreshin më me ndreqjen e dëmtimeve të tempullit.

10Prifti Jehojada mori një arkë, i hapi një vrimë në kapak dhe e vuri pranë altarit, në anën e djathtë të hyrjes së tempullit të Zotit. Priftërinjtë që ruanin pragun e tempullit, hidhnin në arkë të gjitha paratë që silleshin në tempullin e Zotit.

11Kur shihnin se arka mbushej me para, vinte shkruesi i mbretit me kryepriftin, i mblidhnin paratë e hedhura në tempullin e Zotit dhe i numëronin.

12Pasi i peshonin, paratë ua jepnin mbikëqyrësve të punimeve në tempullin e Zotit. Këta paguanin me to drugdhendësit, ndërtuesit, që punonin në tempullin e Zotit,

13muratorët dhe gurgdhendësit, që blinin drurin dhe gurët e latuar që nevojiteshin për ndreqjen e tempullit të Zotit, si dhe mbulonin të gjitha shpenzimet për ndreqjen e tempullit.

14Por me paratë që u hodhën në tempullin e Zotit, nuk u punuan as legenë argjendi, as thika, as kupa, as trumbeta, as enë ari e as enë argjendi,

15sepse iu dhanë punëtorëve për të ndrequr tempullin e Zotit.

16Atyre që u jepeshin paratë për t'ua dhënë punëtorëve, nuk u kërkohej llogari, sepse punonin me ndershmëri.

17Paratë e dhëna si fli faji apo si fli mëkati nuk hidheshin në tempullin e Zotit, sepse u përkisnin priftërinjve.

18Në atë kohë Hazaeli, mbreti i Aramit, u hodh në sulm kundër Gatit dhe e pushtoi. Mandej vendosi të sulmojë Jerusalemin.

19Atëherë Jehoashi, mbreti i Judës, mori të gjitha sendet e shenjta që paraardhësit e tij, Joshafati, Jehorami dhe Ahazjahu, mbretër të Judës, i kishin kushtuar Zotit, sendet e shenjta që ai vetë kishte kushtuar, si edhe tërë arin, që gjendej në thesarin e tempullit të Zotit e të pallatit mbretëror, dhe ia dërgoi Hazaelit, mbretit të Aramit, i cili u tërhoq nga Jerusalemi.

20Bëmat e tjera të Jehoashit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.

21Disa nga shërbëtorët e Jehoashit ngritën krye kundër tij dhe e vranë në Bet Milo, tatëpjetës për në Sila.

22Jehoashin e goditën shërbëtorët e tij Jozabadi, biri i Shimeatit, dhe Jehozabadi, biri i Shomerit, e ai vdiq. Populli e varrosi me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amacjahu.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 2 Kings 12.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.