2 Chronicles 32AL1

1Pas këtyre ngjarjeve plot besnikëri, erdhi Sankeribi, mbreti i Asirisë, për të sulmuar Judën dhe rrethoi qytetet e fortifikuara për t'i pushtuar.

2Kur Ezekia pa se Sankeribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jerusalemin,

3vendosi me prijësit dhe me luftëtarët e tij të mbyllte grykat e burimeve të ujit që ishin jashtë qytetit dhe ata e përkrahën.

4U mblodhën shumë njerëz e shkuan për të mbyllur burimet dhe përroin, që rridhte mes përmes vendit, sepse menduan: «Pse të vijnë mbretërit e Asirisë e të gjejnë ujë me shumicë?».

5Atëherë mbreti mori zemër dhe rindërtoi të gjitha pjesët e rrënuara të murit të qytetit. Ngriti kulla mbi të dhe ndërtoi një mur tjetër jashtë tij. Ai fortifikoi edhe Milonë në qytetin e Davidit dhe prodhoi shumë armë e shqyte.

6Caktoi edhe disa prijës ushtarakë për të udhëhequr popullin. Pastaj i mblodhi pranë vetes në sheshin e portave të qytetit për t'u dhënë zemër e u tha:

7«Bëhuni trima e kini guxim! Mos kini frikë e mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë dhe nga ushtria e tij e madhe, sepse ne kemi një fuqi më të madhe se ai.

8Ai ka një ushtri njerëzish prej mishi, ndërsa ne kemi Zotin, Perëndinë tonë, që na ndihmon e lufton për ne. Fjalët e Ezekisë, mbretit të Judës, i dhanë forcë popullit».

9Pas këtyre ndodhive, Sankeribi, mbreti i Asirisë, ndërsa mbante të rrethuar Lakishin me gjithë forcat e tij luftarake, dërgoi shërbëtorët e tij në Jerusalem për t'i thënë Ezekisë, mbretit të Judës, e mbarë populli të Jerusalemit, këto fjalë:

10«Kështu thotë Sankeribi, mbreti i Asirisë: “Ku e keni varur shpresën, që qëndroni të rrethuar në Jerusalem?

11Ezekia po ju mashtron duke ju thënë se Zoti, Perëndia juaj, do t'ju çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë dhe po ju çon drejt vdekjes nga uria dhe etja.

12A nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën dhe Jerusalemin të adhurojnë e të kushtojnë fli vetëm para një altari?

13Pse, a nuk e dini çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi mbarë popujve të tokës? A ia dolën perënditë e kombeve të tokës t'i shpëtonin vendet e tyre nga zgjedha ime?

14Kush nga perënditë e këtyre kombeve të shfarosur nga etërit e mi ia doli ta çlironte popullin e vet nga zgjedha ime, që Perëndia juaj të mund t'ju shpëtojë ju nga unë?

15Prandaj, të mos tallet me ju Ezekia e të mos ju mashtrojë më këtë gjë. Mos i besoni, sepse asnjë nga perënditë e ndonjë populli apo mbretërie nuk ia doli ta shpëtojë popullin e vet nga zgjedha ime dhe nga zgjedha e etërve të mi. Aq më pak Perëndia juaj do të mund t'ju çlirojë prej meje”».

16Shërbëtorët e Sankeribit thanë edhe fjalë të tjera kundër Zotit Perëndi dhe kundër Ezekisë, shërbëtorit të tij.

17Sankeribi shkroi edhe letra fyese kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, ku thoshte: «Ashtu si perënditë e kombeve të tokës nuk i shpëtuan popujt e tyre nga zgjedha ime, edhe Perëndia i Ezekisë nuk do ta shpëtojë dot popullin e tij».

18Të dërguarit e Sankeribit bërtitën me zë të lartë në judaisht, kur u folën banorëve të Jerusalemit të mbledhur nëpër muret e qytetit, që t'u fusnin frikën dhe tmerrin e kështu të merrnin qytetin.

19Ata folën për Perëndinë e Jerusalemit siç kishin folur për perënditë e popujve të tokës që janë sajesa njerëzore.

20Mbreti Ezeki dhe profeti Isai, biri i Amosit, u lutën për këtë gjë dhe klithën drejt qiellit.

21Atëherë Zoti dërgoi një engjëll, i cili i shfarosi të gjithë luftëtarët trima dhe krerët ushtarakë në fushimin e mbretit të Asirisë. Sankeribi u kthye në vendin e tij i turpëruar dhe, kur shkoi në tempullin e perëndisë së tij, disa nga bijtë e tij e vranë me shpatë.

22Kështu, Zoti e shpëtoi Ezekinë dhe banorët e Jerusalemit prej Sankeribit, mbretit të Asirisë, dhe prej të gjithë armiqve. Ai i dha paqe nga të gjitha anët.

23Të shumtë qenë ata që i kushtuan dhurata Zotit në Jerusalem e i dhuruan sende të çmuara Ezekisë, mbretit të Judës, i cili që atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve.

24Në atë kohë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit dhe Zoti e dëgjoi e i bëri një mrekulli.

25Por Ezekia nuk iu përgjigj bamirësisë që iu bë, sepse iu rrit mendja. Prandaj, mbi të, mbi Judën dhe mbi Jerusalemin ra zemërimi i Zotit.

26Atëherë Ezekia dhe banorët e Jerusalemit u penduan për krenarinë e zemrës së tyre dhe kështu zemërimi i Zotit nuk ra mbi ta gjatë sundimit të Ezekisë.

27Ezekia fitoi shumë pasuri e lavdi. Ai ndërtoi dhoma thesari për argjendin, arin, gurët e çmuar, për erërat e mira, për shqytet dhe për sendet e çmuara.

28Ndërtoi edhe drithnikë për drithërat, për verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet.

29Ezekia ndërtoi qytete dhe kishte tufa të panumërta bagëtish të imëta e të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë shumë pasuri.

30Ky është Ezekia që e mbylli burimin e sipërm të ujërave të Gihonit dhe e kaloi rrjedhën e tyre poshtë në perëndim të qytetit të Davidit. Ezekisë i shkuan të gjitha punët mbarë.

31Por, kur prijësit e Babilonisë dërguan disa njerëz për të parë mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi Ezekinë për ta vënë në provë e për të parë ç'kishte në zemër.

32Bëmat e tjera të Ezekisë dhe besnikëria e tij janë të shkruara në librin e Vegimeve të profetit Isai, birit të Amosit, dhe në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit.

33Ezekia u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në pjesën e sipërme të varreve të pasardhësve të Davidit. Mbarë populli i Judës dhe banorët e Jerusalemit e varrosën Ezekinë me nderime. Në vend të tij mbretëroi i biri, Manaseu.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 2 Chronicles 32.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.