2 Chronicles 21AL1

1Joshafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi Jehorami, i biri.

2Jehorami kishte vëlla Azarjahun, Jehielin, Zakarinë, Azarjahun, Mikaelin dhe Shefatjahun. Të gjithë vëllezërit e tij ishin bij të Joshafatit, mbretit të Izraelit.

3I ati u kishte dhënë shumë dhurata argjendi e ari, sende me vlerë dhe qytete të fortifikuara anekënd Judës, ndërsa mbretërinë ia dha Jehoramit, sepse ai ishte i parëlinduri.

4Kur hipi në fronin e të atit, Jehorami e forcoi pushtetin dhe i vrau me shpatë të gjithë vëllezërit, përfshirë këtu edhe disa nga prijësit e Izraelit.

5Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret. Ai sundoi për tetë vjet në Jerusalem.

6Ai u soll si mbretërit e Izraelit dhe ndoqi shembullin e shtëpisë së Ahabit, sepse ishte martuar me bijën e Ahabit. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit.

7Megjithatë Zoti nuk donte ta shkatërronte shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me të. Zoti i kishte premtuar se pasardhësit e Davidit do të mbretëronin përherë si një pishtar i ndezur.

8Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër sundimit të Judës dhe shpalli mbretin e vet.

9Atëherë Jehorami kaloi kufirin, bashkë me krerët e ushtrisë së tij dhe me të gjitha qerret e luftës që kishte. Edomitët e rrethuan Jehoramin me gjithë prijësit e qerreve të luftës. Atëherë ai u ngrit natën e i sulmoi.

10Edomi nuk i është nënshtruar më sundimit të mbretërisë së Judës edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë kundër sundimit të Judës ngriti krye edhe Libnahu. Kjo ndodhi ngaqë Jehorami e kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.

11Jehorami ndërtoi edhe faltore idhujsh nëpër malet e Judës, duke e bërë popullin e Jerusalemit ta tradhtojnë Zotin dhe banorët e Judës të largohen prej tij.

12Atëherë profeti Eli i dërgoi një letër, ku i thoshte: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: “Ti nuk je sjellë si ati yt, Joshafati, dhe as si Asai, mbreti i Judës,

13por je sjellë si mbretërit e Izraelit, duke e bërë popullin e Judës dhe banorët e Jerusalemit ta tradhtojnë Zotin, ashtu siç i bëri edhe shtëpia e Ahabit. Për me tepër, vrave edhe vëllezërit e tu, familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti.

14Prandaj, ja, Zoti do të sjellë një fatkeqësi të madhe mbi popullin tënd, mbi bijtë e tu, mbi gratë e tua dhe mbi gjithë pasurinë tënde.

15Ti vetë do të vuash nga një sëmundje e rëndë barku që do të t'i nxjerrë zorrët prej barkut dita-ditës”».

16Atëherë Zoti nxiti kundër Jehoramit shpirtrat e filistinëve dhe të arabëve, fqinjëve të kushitëve.

17Ata e sulmuan Judën, e pushtuan dhe rrëmbyen bijtë e Jeroboamit, gratë e tij, si edhe gjithë pasuritë e pallatit mbretëror. Jeroboamit i mbeti vetëm djali i vogël, Jehoahazi.

18Pas këtyre ngjarjeve, Zoti e goditi Jehoramin me një sëmundje të pashërueshme barku.

19Jehorami përkeqësohej ditë pas dite. Si kaluan dy vjet, atij i dolën zorrët e barkut nga sëmundja e rëndë. Jehorami vdiq me dhimbje të tmerrshme. Gjatë varrimit të Jehoramit, populli nuk ndezi zjarre të mëdha për nder të tij, sikurse kishte bërë për paraardhësit e tij.

20Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tetë vjet në Jerusalem. Ai vdiq pa iu dhimbsur askujt dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 2 Chronicles 21.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.