2 Chronicles 17AL1

1Pas Asait mbretëroi i biri, Joshafati. Joshafati u bë edhe më i fortë kundër Izraelit.

2Ai vendosi ushtri në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe vuri njësi ushtarake anekënd vendit të Judës, si edhe në qytetet e Efraimit, që kishte pushtuar i ati, Asai.

3Zoti ishte me Joshafatin, sepse ai u soll si Davidi, paraardhësi i tij, në fillimet e mbretërimit të tij, dhe nuk u dha pas Baalëve.

4Ai i shërbeu Perëndisë së atit të tij dhe u soll sipas urdhërimeve të tij e jo sipas veprave të Izraelit.

5Zoti e bëri mbretërimin e Joshafatit të qëndrueshëm dhe i gjithë populli i Judës i solli dhurata. Kështu, Joshafati fitoi shumë lavdi e pasuri.

6Ai eci me gjithë zemër sipas udhëve të Zotit dhe i hoqi përsëri nga Juda faltoret në vende të larta dhe shtyllat e Asherasë.

7Në vitin e tretë të mbretërimit të tij, Joshafati dërgoi zyrtarët e tij, Benhailin, Abdinë, Zakarinë, Netanelin dhe Mikahun për të mësuar popullin e qyteteve të Judës.

8Bashkë me ta dërgoi edhe levitët Shemajah, Netanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramot, Jonatan, Adonjah, Tobi dhe Tob Adonjah, si edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram.

9Ata shkuan në të gjitha qytetet e Judës për të mësuar popullin dhe morën me vete librin e ligjit të Zotit.

10Frika e Zotit i pushtoi të gjitha mbretëritë e vendeve në kufi me Judën dhe askush nuk u ngrit për të luftuar kundër Joshafatit.

11Disa filistinë i sollën Joshafatit dhurata dhe tagra argjendi, ndërsa arabët i sollën shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjep nga bagëtitë e tyre.

12Joshafati bëhej gjithnjë e më i fortë. Ai ndërtoi fortesa në Judë dhe qytetet ku grumbulloheshin tëmotjet.

13Në qytetet e Judës ai kishte grumbulluar tëmotje të shumta dhe në Jerusalem mbante luftëtarë të fortë e trima.

14Luftëtarët ishin ndarë në këto njësi sipas familjeve të Judës: nga fisi i Judës kryemijësi Adnah u printe treqind mijë luftëtarëve trima.

15Mandej vinin Jehohanani, që u printe dyqind e tetëdhjetë mijë luftëtarëve,

16dhe Amasjahu, biri i Zikriut, që i ishte përkushtuar Zotit e që u printe dyqind mijë luftëtarëve trima.

17Prej fisit të Benjaminit ishte luftëtari trim Eliadai, i cili u printe dyqind mijë luftëtarëve të armatosur me harqe e me shqyte,

18dhe Jehozabadi që u printe njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarëve të armatosur.

19Të gjithë këta ishin në shërbim të mbretit, pa përfshirë luftëtarët që mbreti kishte caktuar në qytetet e fortifikuara anembanë Judës.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 2 Chronicles 17.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.