2 Timothy 1
1 Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu,
2 po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty!
3 Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë.
4 Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim.
5 Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti.
6 Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia.
7 Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë.
8 Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë.
9 Perëndia na shpëtoi e na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu përpara fillimit të kohëve.
10 Ky hir u bë i dukshëm tani përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu, i cili e shfuqizoi vdekjen dhe nxori në dritë jetën e pavdekësinë përmes ungjillit.
11 Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues.
12 Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë.
13 Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
14 Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni.
16 Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia.
17 Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti.
18 Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.