1 Samuel 3AL1

1Djaloshi Samuel i shërbente Zotit në prani të Eliut. Asokohe fjala e Zotit dëgjohej rrallë dhe nuk kishte vegime të shpeshta.

2Një herë Eliu ishte shtrirë në shtrojën e vet. Ai nuk shihte mirë ngaqë po e linin sytë.

3Edhe Samueli ishte shtrirë në tempullin e Zotit, aty ku ishte arka e Perëndisë. Llamba e Perëndisë nuk ishte ndezur ende.

4Atëherë Zoti e thirri Samuelin e ai u përgjigj: «Ja ku jam!».

5Pastaj vrapoi drejt Eliut duke i thënë: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra. Shko e fli!». Kështu, iku e ra të flinte.

6Zoti e thirri sërish Samuelin. Ai u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Por Eliu i tha: «Nuk të thirra, biri im. Shko e fli!».

7Samueli nuk e kishte njohur ende Zotin dhe fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar.

8Zoti e thirri sërish për të tretën herë. Samueli u ngrit, shkoi tek Eliu e i tha: «Ja ku jam! A më thirre?». Atëherë Eliu e kuptoi që djaloshin po e thërriste Zoti,

9prandaj i tha: «Shko e fli! Nëse të thërret sërish thuaj: “Fol, o Zot, se shërbëtori yt po dëgjon”». Kështu, Samueli shkoi e ra në shtrojën e vet.

10Zoti erdhi, qëndroi atje dhe e thirri si më parë: «Samuel, Samuel!». Atëherë Samueli u përgjigj: «Fol, se shërbëtori yt po dëgjon».

11Zoti i tha: «Ja, do të bëj diçka në Izrael, që kur ta dëgjojnë, do t'u buçasin veshët.

12Atë ditë do të përmbush fund e krye gjithçka thashë kundër Eliut e shtëpisë së tij.

13I kisha treguar që do ta dënoja përgjithmonë shtëpinë e tij, sepse, edhe kur i mori vesh fajet e djemve, nuk i qortoi.

14Prandaj iu betova shtëpisë së Eliut, se faji i tyre nuk do të shlyhet kurrë as me fli e as me kushte».

15Samueli fjeti deri në mëngjes e pastaj hapi portat e shtëpisë së Zotit. Ai kishte frikë t'ia tregonte Eliut vegimin.

16Eliu e thirri e i tha: «Samuel, biri im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!».

17Eliu i tha: «Çfarë të tha? Mos ma fsheh! Keq e më keq ta bëftë Perëndia, nëse më fsheh ndonjë gjë prej fjalëve që të tha».

18Atëherë Samueli ia tregoi të gjitha pa fshehur gjë. Dhe Eliu u përgjigj: « Zoti bëftë si t'i duket më mirë!».

19Samueli u rrit. Zoti ishte me të e nuk lejoi t'i shkonte fjala më kot.

20Mbarë Izraeli, prej Danit deri në Bershebë, e mori vesh se Samueli ishte caktuar profet i Zotit.

21Zoti vazhdoi të shfaqej në Shiloh, se Zoti i zbulohej Samuelit atje përmes fjalës së tij.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 1 Samuel 3.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.