1 Samuel 26AL1

1Zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi po fshihet në malësinë e Hakilahut, kundruall Jishmonit».

2Sauli u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Zifit për të kërkuar Davidin. Me të ishin tre mijë izraelitë të përzgjedhur.

3Sauli fushoi buzë rrugës në malësinë e Hakilahut që ishte kundruall Jishmonit. Davidi banonte në shkretëtirë e, kur pa se Sauli po e ndiqte në shkretëtirë,

4dërgoi përgjues dhe mësoi vendin ku kishte mbërritur Sauli.

5Pastaj ai u ngrit e shkoi ku fushonte Sauli. Davidi e vrojtoi vendin ku pushonin Sauli e Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë. Në mes të fushimit po pushonte Sauli me ushtrinë përreth.

6Atëherë Davidi i tha Ahimelek Hititit e Abishait, birit të Cerujahut, vëllait të Joabit: «Kush do të zbresë me mua te fushimi i Saulit?». Abishai i tha: «Do të zbres unë me ty».

7Davidi e Abishai shkuan gjatë natës tek ushtria. Sauli po flinte në fushim me heshtën e ngulur në tokë pranë kokës. Abneri e ushtria flinin përreth tij.

8Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka lënë në dorë armikun. Më lër ta ngul në tokë me një të rënë të heshtës pa e goditur dy herë».

9Por Davidi i tha: «Mos i bëj keq. Kush ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit dhe mbetet i pafajshëm?».

10Davidi shtoi: «Pasha Zotin, ose do ta godasë Zoti, ose do t'i vijë vdekja vetë, ose do të bjerë në luftë e do të marrë fund.

11Mos e thëntë Zoti që unë të ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit. Merrja heshtën pranë kokës e katruven e ujit dhe eja të ikim».

12Davidi mori heshtën e katruven e ujit, që ishin pranë kokës së Saulit, e ata ikën. Askush nuk i pa, askush nuk mori vesh gjë e askush nuk u zgjua. Të gjithë po flinin, se i kishte zënë një gjumë i thellë prej Zotit.

13Davidi kaloi në anën tjetër e qëndroi në majë të malit. Ata ishin shumë larg njëri-tjetrit.

14Atëherë Davidi i thirri ushtrisë e Abnerit, birit të Nerit, e u tha: «Përgjigjmu, o Abner!». Abneri ia ktheu: «Kush je ti që po i thërret mbretit?».

15Davidi i tha: «A je burrë? Kush është si ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte, zotërinë tënd, mbretin? Dikush nga populli erdhi t'i bënte keq mbretit, zotërisë tënd.

16Kjo nuk është gjë e mirë. Pasha Zotin, ju meritoni të vdisni, se nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit. Shikoni, pra, a nuk janë këto heshta e katruvja e ujit që mbante te koka mbreti?».

17Sauli e njohu zërin e Davidit e i tha: «A është zëri yt ky, o David, biri im?». Davidi iu përgjigj: «Po, imzot, mbret».

18Ai shtoi: «Përse e përndjek kështu shërbëtorin tënd, imzot? Çfarë kam bërë? Ç'faj kam?

19Dëgjoje, pra, o imzot, fjalën e shërbëtorit tënd. Nëse të ka ngucur Zoti kundër meje, atë e qetësoftë flija erëkëndshme! Por, në qofshin njerëzit, mallkuar qofshin para Zotit, se më kanë hequr nga trashëgimia e Zotit e më kanë thënë: “Ik e shërbeju perëndive të tjerë!”.

20Prandaj mos e lër gjakun tim të derdhet larg pranisë së Zotit, se mbreti i Izraelit ka dalë të ndjekë një plesht, a thua se po gjuan ndonjë thëllëzë mali».

21Atëherë Sauli i tha: «Kam mëkatuar! Kthehu biri im, David, se nuk do të të bëj më keq. Sot tregove se jeta ime është e shtrenjtë për ty. Kam vepruar si i marrë e kam gabuar shumë rëndë!».

22Davidi iu përgjigj: «Ja ku e ke heshtën, o mbret. Dërgo një nga djelmoshat ta marrë.

23Zoti shpërbleftë këdo sipas drejtësisë e besnikërisë së vet! Sot ai të dorëzoi në duart e mia, por unë nuk desha të ngrija dorë kundër të vajosurit të Zotit.

24Siç ishte sot jeta jote e shtrenjtë për mua, ashtu është edhe jeta ime para Zotit. Ai më shpëtoftë prej çdo rreziku!».

25Sauli i tha Davidit: «Bekuar qofsh, o David, biri im. Të priftë e mbara në çdo gjë që bën». Atëherë Davidi shkoi udhës së vet e Sauli u kthye në vendin e vet.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 1 Samuel 26.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.