1 Peter 3AL1

1Edhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj! Kështu, edhe nëse disa nuk i binden fjalës së Perëndisë do të fitohen nga sjellja e grave të tyre pa ndihmën e fjalëve,

2kur të shohin sjelljen tuaj të pastër dhe me respekt.

3Stolia juaj të mos jetë nga ana e jashtme: flokët gërsheta, stolisja me ar apo veshja e rrobave të shtrenjta,

4por të jetë njeriu i brendshëm me zemër të pastër e me shpirt të butë e të qetë. Këto nuk prishen dhe janë shumë të çmueshme në sytë e Perëndisë.

5Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë. Iu nënshtroheshin burrave,

6sikurse edhe Sara i bindej Abrahamit dhe e quante «imzot». Edhe ju jeni bija të saj, nëse bëni të mirën dhe nuk keni frikë nga asgjë.

7Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë hirin e jetës bashkë me ju, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja.

8Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm e të përulur.

9Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin.

10Kush e do jetën e dëshiron të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët e tij të mos thonë gënjeshtra.

11Le të largohet nga e keqja e le të bëjë të mirën. Le të kërkojë paqen e le të rendë pas saj.

12Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët e veshët e tij dëgjojnë klithmën e tyre, por ai u kundërvihet atyre që bëjnë keq.

13E kush do t'ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës?

14Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre e mos u tronditni.

15Nderoni në zemrat tuaja Zotin Krisht dhe jini gjithmonë gati për t'ju përgjigjur atyre që kërkojnë arsyen e shpresës që është në ju.

16Por bëjeni këtë me butësi, me druajtje ndaj Perëndisë e me ndërgjegje të pastër, në mënyrë që ata që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, të turpërohen për shpifjet.

17Është më mirë të vuani duke bërë të mirën, nëse ky është vullneti i Perëndisë, sesa duke bërë të keqen.

18Sepse edhe Krishti vuajti një herë e përgjithmonë për mëkatet tona, ai, i drejti për të padrejtët, për t'ju çuar te Perëndia. Ai vdiq me trup, por u ngjall me anë të Shpirtit.

19Me anë të Shpirtit, ai shkoi e u predikoi edhe shpirtrave që ishin në burg,

20të cilët nuk iu bindën Perëndisë kur ai i priste me durim gjatë ditëve kur Noeu ndërtonte arkën. Në të hynë pak njerëz, vetëm tetë frymë, që shpëtuan nëpërmjet ujit.

21Ky ujë është shëmbëllesa e sotme e pagëzimit që ju shpëton. Nuk ka të bëjë me pastrimin e papastërtive të trupit, por është një premtim që i bëhet me ndërgjegje të pastër Perëndisë. Pagëzimi ju shpëton nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit,

22i cili u ngjit në qiell e rri në të djathtë të Perëndisë, ku sundon mbi engjëjt, pushtetet e fuqitë qiellore.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 1 Peter 3.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.