1 Chronicles 13AL1

1Davidi u këshillua me prijësit e të njëmijëve, të njëqindëve e me secilin udhëheqës.

2Atëherë Davidi i tha mbarë bashkësisë së Izraelit: «Nëse ju duket gjë e mirë e nëse vjen prej Zotit, Perëndisë tonë, le të shpërndajmë e të dërgojmë lajmëtarë te vëllezërit tanë të mbetur në të gjitha trojet e Izraelit, si edhe te priftërinjtë e te levitët, që gjenden në qytetet me kullota, që të mblidhen te ne.

3Le ta kthejmë te ne arkën e Perëndisë tonë, sepse nuk e kërkuam në kohën e Saulit».

4Mbarë bashkësia pranoi të veprohej ashtu, sepse mbarë popullit iu duk e drejtë.

5Davidi mblodhi mbarë Izraelin, nga Nili i Egjiptit deri në Lebo Hamat, për ta sjellë arkën e Perëndisë nga Kirjat Jearimi.

6Davidi e mbarë Izraeli u ngjitën në Baalah, domethënë në Kirjat Jearim të Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë që quhet Zoti ulur mbi kerubë.

7Ata e mbartën arkën e Perëndisë në një karrocë të re nga shtëpia e Abinadabit. Karrocën e ngisnin Uzai e Ahioi.

8Davidi e mbarë Izraeli ngazëlleheshin fort para Perëndisë, me këngë, qeste, harpa, dajre, cimbale e bori.

9Kur arritën te lëmi i Kidonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën, sepse qetë gati u rrëzuan.

10Mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Perëndisë dhe e goditi, sepse kishte vënë dorë në arkë. Prandaj vdiq në vend para Perëndisë.

11Davidi u zemërua pse Zoti e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah. Ai vend quhet Perec Uzah edhe sot e kësaj dite.

12Atë ditë Davidi e pati frikë Perëndinë e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Perëndisë?».

13Prandaj nuk e mori me vete arkën në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit.

14Arka e Perëndisë ndenji tre muaj me shtëpinë e Obed Edomit, në shtëpinë e tij. Zoti e bekoi shtëpinë e Obed Edomit me gjithçka kishte.

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020 © Interconfessional Bible Society of Albania 2020

Choose Translation

Switch translation for 1 Chronicles 13.

Reading Settings

Paragraph viewDisplay verses as flowing paragraphs instead of individual lines
Show verse numbersDisplay verse numbers inline
Red letterHighlight the words of Christ in red

Sign in to save your reading preferences across sessions.