1 Timothy 4
1 Shpirti e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke dëgjuar shpirtrat e rreme dhe mësimet e djajve.
2 Ata do të mashtrohen nga njerëz hipokritë e gënjeshtarë, ndërgjegjja e të cilëve është damkosur.
3 Ata ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hani nga ushqimet që Perëndia i krijoi. Ai i krijoi këto ushqime që, ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën, t'i hanë duke e falënderuar.
4 Çdo gjë që Perëndia krijoi është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u hedhur nëse merret duke e falënderuar atë,
5 sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.
6 Nëse ua mëson këto gjëra vëllezërve, do të jesh një shërbëtor i mirë i Krishtit Jezu, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë që ke ndjekur.
7 Shmangu, pra, nga përrallat e marra dhe profane të plakave dhe ushtroje veten në përkushtimin ndaj Perëndisë,
8 sepse ushtrimi i trupit është pak i dobishëm, por përkushtimi ndaj Perëndisë është i dobishëm për gjithçka. Ky përkushtim mbart premtimin e jetës së tashme dhe asaj të ardhshme.
9 Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë të pranohet plotësisht.
10 Për këtë, pra, po mundohemi e po luftojmë, sepse kemi shpresë në Perëndinë e gjallë që është shpëtimtari i të gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve.
11 Këto gjëra t'ua urdhërosh e t'ua mësosh të tjerëve.
12 Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët me fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim e në dëlirësi.
13 Kushtoju leximit të fjalës para bashkësisë, këshillimit dhe mësimdhënies derisa të vij unë.
14 Mos e lër pas dore dhuntinë që ke, e cila t'u dha përmes profecisë dhe vënies së duarve nga pleqtë e kishës.
15 Mbaji mend këto gjëra e kushtoju atyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
16 Kujdesu për veten dhe për mësimin, këmbëngul në këto gjëra, pasi duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.