1 Timothy 2
1 Para së gjithash, të bëj thirrje që të bëhen përgjërime, lutje, ndërmjetësime dhe falënderime për të gjithë njerëzit,
2 për mbretërit dhe për të gjithë ata që kanë pushtet, që të mund të bëjmë një jetë me paqe e qetësi, plot përkushtim ndaj Perëndisë dhe dinjitet.
3 Kjo gjë është e mirë dhe e pranueshme para Perëndisë, shpëtimtarit tonë.
4 Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen e të arrijnë ta njohin të vërtetën plotësisht,
5 sepse një është Perëndia dhe një është ndërmjetësi mes Perëndisë e njerëzve: njeriu Jezu Krisht.
6 Ai e dha veten si shpengim për të gjithë dhe këtë dëshmi e dha në kohën e duhur.
7 Për këtë u caktova predikues e apostull, për t'u mësuar kombeve besimin dhe të vërtetën. Po them të vërtetën, nuk gënjej.
8 Prandaj dëshiroj që burrat në çdo vend të luten duke ngritur lart duar të shenjta, pa mëri e pa grindje.
9 Po ashtu gratë të vishen me rroba të hijshme, me thjeshtësi e maturi, jo me gërsheta e ar, as me margaritarë e rroba të kushtueshme,
10 por me vepra të mira, siç u ka hije grave që i druhen Perëndisë.
11 Gruaja le të mësojë në heshtje e me nënshtrim të plotë.
12 Nuk e lejoj gruan të mësojë të tjerët dhe as të ushtrojë pushtet mbi burrin, por të rrijë urtë.
13 Sepse Adami u krijua i pari, pastaj Eva.
14 Nuk ishte Adami ai që u mashtrua, por gruaja u mashtrua dhe shkeli urdhrin e Perëndisë.
15 Gruaja do të shpëtohet përmes lindjes së fëmijëve, nëse qëndron në besim, në dashuri dhe në shenjtëri me maturi.