1 Samuel 23
1 Davidin e lajmëruan e i thanë: «Ja, filistinët po sulmojnë Kejlahun e po përlajnë lëmenjtë».
2 Atëherë Davidi pyeti Zotin: «A t'i sulmoj filistinët?». Zoti iu përgjigj: «Sulmoji filistinët e çliroje Kejlahun».
3 Por njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, ne jemi në Judë e na ka kapur frika. Si të shkojmë në Kejlah kundër forcave filistine?».
4 Atëherë Davidi pyeti sërish Zotin e ai iu përgjigj: «Ngrihu e shko në Kejlah, se unë po t'i dorëzoj filistinët».
5 Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi në Kejlah, i sulmoi filistinët dhe dëboi bagëtitë e tyre. Filistinët u shpartalluan dhe Davidi i çliroi banorët e Kejlahut.
6 Abiatari, biri i Ahimelekut, kishte shkuar te Davidi në Kejlah dhe kishte marrë me vete efodin.
7 Saulin e lajmëruan se Davidi kishte mbërritur në Kejlah. Atëherë ai tha: «Ma ka dorëzuar Perëndia, se shkoi e u mbyll në një qytet me dyer e shula».
8 Sauli mblodhi tërë popullin për të mësyrë Kejlahun e për të rrethuar Davidin e njerëzit e tij.
9 Davidi e mori vesh se Sauli po kurdiste ligësi kundër tij, prandaj i tha priftit Abiatar që të sillte efodin.
10 Atëherë Davidi tha: «O Zot, Perëndia i Izraelit, shërbëtori yt mori vesh se Sauli po kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.
11 A do të më dorëzojnë banorët e Kejlahut te Sauli? A do të vijë Sauli, siç dëgjoi shërbëtori yt, o Zot, Perëndia i Izraelit? Tregoji, të lutem, shërbëtorit tënd!». Zoti iu përgjigj: «Sauli do të vijë».
12 Davidi e pyeti: «A do të na dorëzojnë te Sauli krerët e Kejlahut?». Zoti i tha: «Po, do t'ju dorëzojnë».
13 Atëherë Davidi dhe gjashtëqind njerëzit e tij ikën prej Kejlahut e u endën gjithandej. Saulit i treguan se Davidi kishte ikur prej Kejlahut dhe ai nuk e sulmoi.
14 Davidi banoi në fortesat e shkretëtirës, në malësinë e shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte ditë për ditë, por Perëndia nuk ia dorëzoi kurrë Davidin.
15 Davidi ishte në shkretëtirën e Zifit, në Horesh, kur pa se Sauli kishte dalë për t'i marrë jetën.
16 Jonatani, biri i Saulit, u ngrit e shkoi te Davidi në Horesh. Ai i dha zemër në emër të Perëndisë
17 e i tha: «Mos ki frikë, se Sauli, ati im, nuk ka për të të gjetur. Ti do të mbretërosh në Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë».
18 Të dy lidhën besën para Zotit. Davidi qëndroi në Horesh e Jonatani u kthye në shtëpi.
19 Atëherë zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi fshihet mes nesh, në fortesat e Horeshit, në malin e Hakilahut, që ndodhet në jug të Jishmonit.
20 Prandaj, eja, o mbret, kur të ta ketë ënda e ne do të ta dorëzojmë».
21 Sauli u tha: « Zoti ju bekoftë, se po tregoheni të dhembshur me mua.
22 Shkoni e sigurohuni përsëri. Gjeni e shikoni ku i shkel këmba e kush e ka parë atje, se kam dëgjuar se është shumë dinak.
23 Shikoni e gjeni të gjitha vendet ku fshihet, pastaj ejani tek unë të sigurt e unë do të vij me ju. Nëse ndodhet në këtë vend, do ta kërkoj anekënd Judës».
24 Ata u larguan nga Sauli e shkuan në Zif. Davidi e njerëzit e tij ndodheshin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të Jishmonit.
25 Sauli e njerëzit e tij shkuan për ta kërkuar, por Davidin e njoftuan dhe ai zbriti te shkëmbi e banoi në shkretëtirën e Maonit. Sauli e mori vesh dhe e gjurmoi nëpër shkretëtirën e Maonit.
26 Sauli shkoi në njërin shpat të malit, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shpatin tjetër. Davidi nxitoi të largohej prej Saulit, kur Sauli dhe njerëzit e tij po i rrethonin për t'i kapur.
27 Atëherë mbërriti një lajmëtar te Sauli e i tha: «Nxito dhe eja shpejt, se filistinët po sulmojnë vendin».
28 Sauli hoqi dorë nga ndjekja e Davidit e shkoi të ndeshej me filistinët, prandaj ai vend u quajt shkëmbi i Hamahlekotit.